English  Srpski

Rreth Nesh

Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës, Sh.A. me 21 dhjetor 2006 kremtoi 47 vjetorin e themelimit. Në vitin 1959 me Vendimin e Këshillit Drejtues të Bashkësisë së PTT-së të Jugosllavisë, nr. 1115497/1-1959 u themelua Posta, Telefoni dhe Telegrafi i Kosovës. Ndërsa nga data 13.09.1990 të gjithë punëtorët shqiptarë dhe minoriteteve të tjera që nuk u pajtuan me politikën e Milosheviçit, me dhunë ishin larguar nga puna.

Gjatë luftës, të gjitha zyret dhe pasuria e PTK-së ishte vjedhur, demoluar dhe disa prej tyre edhe shkatërruar. Pas përfundimit të luftës, grupet negociuese të PTK-së, KFOR-it dhe UNMIK-ut, ua mundësuan punëtorëve rikthimin e ligjshëm në vendet e tyre të punës.

Atëbotë, Shërbimet Postare ishin të pamundshme, ndërsa Telefonia dhe Telegrafia e Kosovës, pothuaj nuk funksiononte fare, sidomos lidhjet ndërkombëtare.

Pas një pune 8 vjeçare, PTK-ja ka tri njësi biznesi: Postën e Kosovës, Telekomin e Kosovës dhe operatorin mobil Vala. Të tri njësitë e biznesit të PTK-së janë të licencuara nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit të Kosovës. Me 29 qershor të vitit 2005, PTK-ja është shndërruar në një shoqëri aksionare, me emrin e ri PTK Sh.A.. PTK Sh.A. tash ka një plan biznesi pesë vjeçar me një investim prej 550 milionë eurosh.

Operatori mobil Vala tashmë ofron shërbime të llojllojshme për konsumatorët e saj. Vala ka shtrirë rrjetin e saj pothuajse në 90% të territorit të Kosovës, që një kohë të gjatë ofron për të gjithë konsumatorët e saj edhe shërbimin GPRS apo internet përmes telefonit mobil, dërgimin e mesazheve multimediale apo MMS, SMS brenda dhe jashtë operatorit Vala.

PTK Sh.A. ka nënshkruar kontratën me Hekurudhat e UNMIK-ut, për shtrimin e kabllit optik përgjatë hekurudhave. Kontrata e nënshkruar në verën e vitit 2005 me Alcatel-in do të zhvillojë dhe avancojë telefoninë fikse në rrjetin NGN (Next Generation Network), pra rrjetin e gjeneratës se ardhshme. Në vitin 2004 menaxhmenti i PTK-së ka arritur ta bindë UNMIK-un që të shtrojë kërkesën në zyrat e ITU-s (Unioni Ndërkombëtar për Telekomunikacion) për aprovimin e kodit telefonik ndërkombëtar për Kosovën.

Është ngritur Qendra për Trajnimin dhe Zhvillim e cila ndihmon avancimin e punëtorëve të PTK-së, qendër kjo ku çdo ditë mbahen trajnime me standarde të vendeve perëndimore.

Procesi i korporatizimit të PTK-së dhe kalimi i saj në një Shoqëri Aksionare të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht është meritë e menaxhmentit të PTK-së. PTK-ja, si Shoqëri Aksionare ka një vizion dhe një mision shumë të qartë për të ardhmen.

Misioni i PTK-së është “Të jetë gjithmonë prijëse në ofrimin e shërbimeve superiore të komunikimit, që ua përmirësojnë jetën të gjithë kosovarëve, përmes pasionit të njerëzve tanë dhe përmes përdorimit të teknologjisë më bashkëkohore të sprovuar.”.

Ndërsa, Vizioni ynë është “Të jetë forcë shtytëse në rritjen e prosperitetit të kombit dhe pasurimit të jetës së të gjithë kosovarëve.”.

Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës, Sh.A. nga muaji korrik ka lansuar edhe webfaqen e vet www.ptkonline.com, ku të interesuarit mund të njihen për ofertat dhe me zhvillimet më të reja në PTK, Sh.A. apo edhe problemet aktuale me të cilat ballafaqohet PTK-ja.
 
PTK Sh.A. ka rreth 2.480 punëtorë dhe ka një strukturë organizative si vijon. PTK Sh.A përveq tri njësive qendrore të biznesit ka edhe njësitë ndihmëse siç janë:

Drejtoria Financiare, Drejtoria Komerciale, Shërbimi i Prokurimit, Drejtoria e Punëve Juridike, Drejtoria e Resurseve Njerëzore, Departamenti për Trajnim dhe Zhvillim, Departamenti për Shitje dhe Distribuim dhe Departamenti i Komunikimit të Korporatës. Ajo që ende e pengon zhvillimin e PTK-së, krahas operatorëve të tjerë në rajon dhe më gjerë është mungesa e kodit telefonik ndërkombëtar.


 
© 2007 PTK