PTK

VALA

TELEKOMI

Telefoni fikse dhe internet edhe pėr 17 lokacione tė reja nė Kosovė
Prishtinë  Data e publikimit : 2012-01-10 17:07:09

Për herë të parë, Visar Bajraktari, banor i fshatit Isniq, do të mund të shfrytëzojë shërbimet e Telekomit të Kosovës, telefoninë fikse dhe internetin me gjithë kapacitetet e veta.

Thirrjen e parë që ai sot e pranoi, ishte pikërisht nga Kryeshefi Ekzekutiv i PTK Sh.a.-së, Prof. Dr. Shyqyri Haxha.

Janë gjithsej 1200 familje të këtij vendbanimi, që prej të enjtes, kanë privilegjin të komunikojnë me pjesën tjetër të Kosovës dhe botës.

Projekti i Telekomit të Kosovës për shtrirjen e rrjetit në 17 lokacione të Kosovës - vlera e përgjithshme e projektit, e cila kap shifrën mbi 10 milionë euro - është inauguruar të enjten, me lansimin e linjave të telefonisë fikse dhe internetit në fshatin Isniq, nga Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Dr. Haxha.

“Përurimi i projektit të sotëm është edhe një dëshmi se, PTK jo vetëm në telefoninë mobile por edhe atë fikse është duke përparuar. Vetë fakti që këtu kemi kapacitete të internetit brezgjërë, do të thotë se ne po i afrohemi telekomit me standarde shumë të larta dhe shumë moderne”, ka deklaruar Dr. Haxha me rastin e inaugurimit të projektit.

Fshati Isniqi, është vetëm njëri nga tri vendbanimet e Regjionit të Gjakovës, i cili përfitoi nga ky projekt shumë i rëndësishëm.

Centrali digjital i instaluar në fshat, mundëson krijimin e mbi 1200 linjave telefonike dhe mbi 600 të internetit.

Puna është duke u zhvilluar me një intensitet shumë të lartë, vetëm për dy ditë prej përfundimit të punëve, në Isniq janë instaluar 40 linja telefonike.

Adem Grabovci, zëvendësministër i Transportit dhe Post Telekomunikacionit, ka uruar Kryshefin Ekzekutiv të PTK-së për punën e bërë.

“E uroj KE e PTK për sukseset e vrullshme në drejtim të zhvillimin PTK-së. Në emrin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Transportit dhe Post Telekomunikacionit, i garantoj se gjithnjë do të jemi pranë tij, në mënyrë që të ecë me hapa edhe  më të shpejt në zhvillimin e PTK-së dhe sukseseve të reja”, ka deklaruar zv. Ministri Grabovci.

Interesimi për këto shërbime të Telekomunikacionit të Kosovës, në këtë fshat është, por edhe në lokacionet tjera është shumë i madh.

Mbi 90 përqind e kërkesave bëhet për të dy shërbimet, telefonisë fikse dhe internetit dhe vetëm 10 përqind e tyre kërkojnë vetëm shërbimin me zë.

Rrjetat e sapo ndërtuara përkrahin shërbimin e zërit dhe internetit me çmim shumë të volitshëm. Shumë shpejt në këto rrjeta do të ofrojmë edhe produktin e Televizionit përmes teknologjisë IPTV.

Në ditët në vijim, PTK do të bëj inaugurimin e projektit në lokacionet tjera, të cilat janë të gatshme për punë.


  • Na vizitoni në rrjetet sociale