Humanitarët kthehen në VALA

Në kuadër të nismës që ka ndërmarrë Vala, me moton “Krejt po kthehen", që ka për qëllim kthimin e instucioneve publike, kompanive private dhe qytetarëve në shërbimet e operatorit publik ` Vala', gjatë ditës së sotme, ka rikthyer në rrjetin e saj një prej institucioneve më kredibile dhe shembull në humanitet, “Kryqin e Kuq të Kosovës”.

Kjo organizatë humanitare, vendosi të nënshkruajë kontratë me Valën, pasi vlerësoi se përfaqëson ofertën më të mirë, në krahasim me operatorët tjerë konkurentë.

“Vetë fakti që sot jemi këtu për të nënshkruar një kontratë me Vala-n, dëshmon më së miri për ofertën më të mirë që na ka dhënë kjo kompani në krahasim me kompanitë konkurente. Unë ndihem shumë i lumtur që firmosa një kontratë bashkëpunimi që ofron edhe më afër dy institucionet tona”, theksoi Agron Humolli, sekretar i përgjithshëm i “Kryqit të Kuq të Kosovës”.

Agron Mustafa, Drejtor Menaxhues i PTK-së, nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit me Kryqin e Kuq të Kosovës, e quajti një marrëveshje të veçantë, për misionin dhe historinë që përfaqëson kjo organizatë.

"Më gëzon e dhëna se vullnetarët e organizatës së Kryqit të Kuq në Kosovë do të kenë numra të Vala-s. Gjithnjë kam vlerësuar se njerëzit që dedikojnë karrierën e tyre ndihmës për personat në nevojë, të varfër, të sëmurët, ndihma për të plagosurit në kohë lufte, etj, etj, janë model frymëzimi dhe tregojnë se humaniteti njerëzor ekziston", deklaroi Drejtori Menaxhues i PTK-së, Agron Mustafa.

Ai bëri të ditur gjithashtu se duke pasur parasysh të gjitha këto, do të mundohen që t’iu ofrojnë shërbime sa më të mira.

“Ngado që do të shkoni nëpër territorin e Kosovës, ju veç sinjalit telefonik do të keni edhe internet të shpejtë 3G dhe 4G. Jemi e vetmja kompani në Kosovë që mbulojmë 75 përqind të territorit me internet 4G apo 90 përqind të vendit me sinjal 3G. Kjo do t’iu ndihmojë edhe juve si organizatë humanitare të keni më pak shpenzime në këtë sektor", tha më tutje Drejtori Menaxhues i PTK-së, Agron Mustafa.

Rikthimi i “Kryqit të Kuq të Kosovës” në rrjetin e Vala-s i parapriu nënshkrimit të dhjetëra kontratave mes PTK/Vala dhe institucioneve të ndryshme publike, private dhe konsumatorëve të ndryshëm.

VALA pati një humbje të tregut gjatë viteve të fundit, për shkak të dy proceseve të dështuara të privatizimit, bllokimimin e investimeve, mungesën e marketingut dhe dobësimit të shërbimeve ndaj konsumatorëve si rrjedhojë e këtyre proceseve.

Rikthimi i institucioneve me shërbimet e Vala-s filloi me KEK-un, Trepçën, Forcat e Sigurisë së Kosovës, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, komunat e ndryshme në Kosovë, kompanitë private, konsumatorët e rinj, etj.