Inxhinierët N’Trip të Vala-s

VALA ka vendosur që një pjesë të të hyrave, ta kthejë në publik, kësaj here përmes dhënies së bursave dhe trajnimeve për studentët dhe inxhinierët e Fakultetit Teknik. Klikoni faqen N'Trip të Valës për të fituar më shumë bursa. Shpërblimi i Vala-s për një “Like” është 15 cent.

A dëshironi që një student i Fakultetit Teknik të fitojë bursë dhe të kryejë praktikën në PTK? Atëherë mjafton vetëm një “Like” faqes N'Trip, që është produkt i Vala-s për të rinjtë, me çmim prej vetëm 2.99 euro dhe ku parashihen biseda pakufij brenda grupit, 500 sms dhe 2 GB internet të shpejt 3G dhe 4G.

"Like", i juaj do të vlerësohet në shumën prej 15 cent.

Sa më shumë “Like”, aq më shumë do të shtohet shuma e eurove dhe e gjithë kjo shumë do të dedikohet për studentët e Fakultetit Teknik, Dega e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Mekanike, Ndërtimtari dhe Arkitekturë.

Ky është qëllimi i marrëveshjes së arritur sot mes të Drejtorit Menaxhues të PTK-së, Agron Mustafa dhe Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike i Univeristetit të Prishtinës, z. Enver Hamiti.

“Është kënaqësi të bashkëpunosh me një kompani të madhe si Vala. Marrëveshja e sotme e zgjeron dhe thellon bashkëpunimin tonë në dobi të studentëve. Shpresojmë të mos mbetemi vetëm në bursa, por edhe në marrëdhënie më të thella shkencore dhe akademike”, deklaroi Dekani, z. Enver Hamiti.

Drejtori Menaxhues i PTK-së theksoi se ndihet i privilegjuar sa herë që ndodhet në ambientet akademike, mes studentësh dhe pedagogësh.

“Sa herë shkoj në ndonjë ngjarje që ka të bëjë me studentët apo u ofron diçka atyre ndihem tepër mirë. Të nënshkruash një memorandum të tillë, që ka për synim financimin dhe nxitjen e arritjeve akademike dhe profesionale të studentëve të Fakultetit Teknik, është padyshim për mua, një ndjenjë tejet pozitive dhe që më jep energji dhe motiv shtesë. Ka qenë një ide e përbashkët që produktet tona, përveç promovimeve dhe raporteve të thjeshta komerciale, të avancohen edhe më tutje dhe VALA të ketë rolin e fuqishëm në përgjegjësitë sociale që i kemi ndaj komunitetit", u shpreh Drejtori Menaxhues i PTK-së, Agron Mustafa.

Sipas tij, në këtë rast kërkohet angazhimi i studentëve, që ta bëjnë një “Like”, në faqen e produktit N’Trip.

“Vala ka vendosur të paguajë 15 cent për një ‘Like’. Ka pasur iniciativa nga kompani të ndryshme që kanë bërë ‘Like” më herët, por me çmime më të ulëta. Por ne si kompani lider, kemi vendosur këtë çmim që është dinjitoz dhe nxitës, ndërsa shuma e bursave do të varet pikërisht nga ju. Nëse i mbërrijmë 200 mijë ‘Like’ do të arrijmë në 30 mijë euro apo 30 bursa. Ju ftojmë të kaloni në N’Trip për shkak se se Vala duhet të fuqizohet edhe më shumë. Vala është e imja, e juaja e të gjithë neve, është e Kosovës...", kështu iu drejtua studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Univeristetit të Prishtinës, Drejtori Menaxhues i PTK-së, Agron Mustafa.

Mustafa përmbylli fjalimin para studentëve me një mesazh të qartë, duke cituar miliarderin amerikan Donald Trump.

“Për aq kohë sa duhet të ëndërroni, ëndërroni gjëra të mëdha. Ju nesër do të jeni drejtor në VALA, dekan apo pozita të ndryshme menaxheriale në kompani vendore dhe ndërkombëtare apo dhe ndërmarës/e të suksesshëm/e. Këto objektiva jetësore mund t'i arrini vetem me dije të thella akademike dhe profesionale në vazhdimësi", tha në fund Drejtori Menaxhues i PTK-së, Agron Mustafa.